Saturday, May 30, 2015

Poeti me me një lirizëm të thellë, të beftë e tronditës

Poeti me me një lirizëm të thellë, të beftë e tronditës
Shqyrtim analitik rreth aktit poetik të poetit Sherif Bali

Hymqet HASKO


Biografia njerëzore dhe poetike e poetit të njohur lushnjar Sherif Bali, është një endje mes Shillës e Karibdës, mes poezisë dhe përjashtimit, mes shijes së plotërisë që vjen nga estetika dhe mungesës e vakumit klithës, që vjen nga të ashtuquajturat “njolla në biografi” të një kohe absurde. Sherif Bala e ka mbartur poezinë me vete si një bagazh dhimbje e malli, përkushtimi e sfide, ëndrre e zhgjëndrre, iluzioni e zhgënjimi, duke lënë në çdo hap të jetës, në rrugëtimin e tij të vështirë vargje të hedhura në copa letrash dhe në kohë.
Kjo biografi është pjesë e biografisë poetike të Lushnjes, një trevë poetike me aq shumë prurje dhe individualitete ku mjafton të përmndim disa syresh si Faslli Haliti, Visar Zhiti, që janë në një farë mënyre ikona të artit poetik mbarëshqiptar, për të vijuar me të tjerë si Izet Shehu, David Miltiadhi, Kozma Gjini. Valter Dauti e të tjerë, që bëjnë vend denjësisht në analet aktuale të letrave poetike kombëtare.
Profili i Balit është i veçantë jo vetëm për shkak të jetës së tij të trazuar, por dhe të artit poetik të veçantë, me nuanca të holla ironie e humori, me një sens të spikatur lirik, që shkon drejt një natyralizmi virgjin dhe të pandikuar nga asnjë rrymë apo shkollë poetike, përveç asaj shkolle që i dikton talenti, pavetëdija dhe vetëdija estetike.
Një nxënës i shkëlqyer, por që s’e çonin në shkollë të lartë për arsye biografie, një poet që në vogëli, poet i lindur, por që lufta e kalsave e dënoi të mos botonte. Dhe pse me nota të larta, mësuesit detyroheshin t’ja ulnin notat në mësime dhe “njolla në biografi”, për shkak se rridhte nga një familje e pasur, që pas çlirimit ia konfiskuan mall e pasuri, do t’I rinte si shpatë Demokleu mbi kokë deri në fillim të viteve ’90, kur nisën proceset demokratike në vend. Botimet e tij tek “Zëri i Rinisë” tek “Drita” apo tek “Nëntori” ishin si rezultat i prirjes së tij, por dhe si rrjedhojë e ndihmës së miqve redaktorë epoetë të njohur, që shikonin tek Bali një talent të spikatur.
Të gjitha këto do të gjenin vend në poezinë e tij, që edhe pse dhimbja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e poetit, prap është e butë, me nuanca të holla lirike, me një temporitëm që shkon drejt natyralitetit, drejt tingujve dhe dritëhijeve, drejt zhaurimës së pyllit dhe rrjedhës së ujëvarave.
Pinjoll i një familje që për epokën që po kalonte Shqipëria quhej e pasur dhe e deklasuar, Bali do ta vuante mosbotimin, moshkollimin, mospunësimin në raport me meritat dhe vlerat intelektuale, të cilat në epokën socialiste nuk kishin vlerë dhe ndodhte shpesh që të shiheshin si elemente të rrezikshmërisë shoqërore.
Në këtë konflikt mes prirjeve natyrale e formimit që i vinte nga bota e leximeve dhe kufizimeve të kohës, trysnisë politike që frymëzonte marrshi bolshevik i “luftës së klsave”, poeti do të raunte të pastër identitetin e tij njerëzor e poetik, duke qenë një apostull i të vërtetës, e cila sado thellë që të zhytet do të dalë në sipërfaqe, për të dëshmuar kohën dhe bashkëkohësit.
Bali do të botonte vonë, vetëm pas çlirimit të poezisë dhe artit në përgjithësi nga izmat, dogmat dhe realiteti jashtëletrar, që I mbante nën vëzhgim dhe censurë të rreptë. Edhe pse ka pasur kontakte dhe ka gëzuar simpatinë e kolosëve të poezisë e letrave si Dritëro Agollit, Koço Kostës etj, librin etij të parë me poezi do ta botonte vetëm në vitin 1994, një libër që kishte një muzikalitet dhe lirizëm tronditës. Më vonë do të botonte kohë pas kohe edhe gjashtë libra të tjerë me poezi, secili me një nivel më të lartë estetik se tjetri, me një tematikë të gjërë dhe mesazhe të shumta, ku sundon lirizmi dhe spontaniteti.
Në poezinë “Arkeologji”, me tone aq fine dhe një ngrohtësi molepsëse, që shkon drejt një kadence muzikale plot befasime, poeti thotë:

Gërmo, gërmo,
Në shpirtin tim.
Copëra të thyera
Fytyrash do gjesh
Në çdo shtresë të tij
Por provo t’i mbledhësh tok
Ato copra të shpërndara nëpër sheshe e kënde:
Do të formojnë të gjitha veç fytyrën tënde-

Rrugët nga vjen dhe frymon poezia, si lëndë eksplicite e shpirttit më të thëllë njerëzor, që buron qysh nga pavetëdija prehistorike kolektive mbi të bukurën dhe transhendeten, janë të shumta e të larmishme, por të gjitha mblidhen në të njëjtin vektor: në vektorin e sendërtimit të atij pjalmi gjenetik, psikofilozofik, etik dhe mbi të gjitha estetik, që e nxjerr njeriun nga sinoret e të zakonshmes dhe e ul në fronin afër hyjnive. Këtë përjetim po e bluaja në mendje ndërsa lexoja poezitë e poetit të njohur Sherif Bali, tek gjurmoja atë plazmim estetik të dendur e të ngjeshur në përfytyrime, imazhe, mesazhe, tekst e nëntekst, që përftohet prej një leximi të kujdesshëm dhe përcillet vetëm nga poetë të vërtetë.
Duke e thyer përditshmërinë në grimicime parabolike, enumeracione dhe gjendje të dyzuara emocionale, poeti e rindërton atë me anë të nëntekstit të fortë poetik, pjesëton e shumëzon çastin në kohën e përditshmërisë, duke na dhënë me një muzikalitet aq të ëmëbël e aq të dëlirë vizatime dhe gjendje sa reale e konkrete aq dehëse e trallisëse…
Bali është i natyrshëm në aktin e tij shkrimor; gjithashtu, duke e thyer shtratin e tradicionalizmit poetik, atë guvë burimore ku është folku, zërat e ngrohtë lirikë që vijnë nga etnopsikika poetike kolektive, ai me origjinalitetin e zërit të tij, me tonet aq të ndjeshme e kumbuese deri në dehje, me lirizimin dhe spontanitetin e tij, krijon struktura të reja poetike.
Poezia e këtij poeti nuk vjen nga shtampat deklerative, nga agjustimet dhe ilustrimet rozë të realitetit, por nga një njohje e thellë e objektit poetik, nga fuqia e ndjenjës dhe intensiteti i emocionit. Janë këto vektorë që vënë në lëvizje turbinën e mendimit të tij poetik, për të prodhuar energjinë e përfytyrimit, të ndjenjës dhe emocionit, që na vjen me anë të vargjeve të ndjerë e të ngrohtë, plot ritme e temporitme të brendshme.
Poeti e tejshtrin botëvështrimin e tij në hullinj të njohur përjetimesh, por mënyra se si ai vështron në këta hullinj është befasuese; duke sjellë ritme dhe melodi të hazdisura e trillere, që të rrëmbejnë e të bëjnë për vete. Kjo shpalosje e poetit, sjell me vete një aromë të veçantë jete, risinë e riciklimit të bukurisë dhe harmonisë, si një kumt ndjellës drejt përsosmërisë shpirtërore, në kufijt mes realitetit të rëndomtë që ushtron presion dhe ëndrrës së kulluar, si produkt i mirëfilltë poetik. Poeti mbjellë kështu farë malli, klithme, ëndërrimi, humbje, ankthi, vetmie, buzëqeshjesh, dhimbjesh, flirti; mbjell magjijimet e ditës dhe mëkatët e natës, një minbotë të pasur e të pastër, që është një ftesë për ta vizituar në çdo kohë…
Në qendër të këtij rrëfimi shumpëlanësh e me mesazhe të dendura, fokusohet me germa të mëdha fjala njeri, raportet e tij etike, sociale, dashurore, filozofike, etike me kohën, me bashkëkohësin, me filozofinë e mbijetesës dhe të ecurisë së brezave. Vargu elegant i Balit nuk kërcet, nuk rreket të bëjë dhe aplikojë rekurse filozifike, nuk kërkon të duket, por është i vetëmjaftueshëm për atë çfarë kumton dhe si e kumton, me një natyrshmëri dhe sponanitet për t’u admiruar.
Aventura poetike e Balit është një aventurë e bukur, në një rrugëtim të natyrshëm drejt vetvetes së tij autentike, vetvetes estetike; në të njëjtën kohë, është një udhëtim historik, mitologjik, bashkëkohor, gati profetik, në thelbin e vetë kohës shqiptare.
Poeti shkruan një poezi ku me risitë e modernitetit shkrihen në mesazhe universale, përdor më së shumti vargun me rimë, asonanca dhe ritme të matura, por herë herë dhe vargun e lirë, (të lirë në kuptimin më tekonologjik të kësaj fjale, por jo të çliruar nga përkujdesja ritmike dhe prozodike, siç ndodh me një duzinë të vetëshpallurish poetë, që çdo renditje fjalësh, në çfarëdolloj forme e strukture, e quajnë me gojën plot poezi, kur në fakt nuk janë as thjeshtë vargëzime të rëndomta).
Ky ishte vetëm një vizatim i çastit për një poet me një profil tepër të detajuar si Bali, pasi poezia e tij meriton shqyrtime të kujdesshme, përaqsje krahasuese e analiza më të holla, por në analizë të mbrame, mund të themi se tek Bali shohim një poet jo vetëm të formuar plotësisht e me një profil të vetin poetik, por mund të themi me një shkollë të tij poetike, dëshmi kjo e një një talenti e përkushtimi përtej të zakonshmes, duke na përcjellë vrullet dhe ritmet e botës shqiptare, me një lirizëm të thellë, të beftë, sugjestiv e tronditës.

No comments:

Post a Comment