Saturday, May 30, 2015

Poezi nga Sherif Bali



B L E T A (Faqa Tjetër)
__________________

E urtë bleta

Por nëse do ta ngacmonin
Ajo do sulmonte
Me jataganin-
Dhe vetë presidentin(Rexhep Meidanin)

Nëntor 1998



Ç’PO BËN


Ç’po bën, moj e bukur?
Si i marrosur,
Për ty
U bëra.

Ç’vjeshtë me 7 gajda e 33 zëra!
Tani dhe Dajti…

Më ngjan si një shtërg që do ta marrë Kuvajti…!

  
 AISHE RABIA

Më 12 Tetor 1986
Me Aishe Rabien u martova.
Nga gëzimi dhe Korbit të Poes
Ftesë Dasme i çova.

Diktatura ishte e egër,
S’donte të martohej kulaku i gjorë
Por ajo e sfidoi me guxim
Me datën e lume: 12 Tetor!

Prandaj atë e dua kaq shumë
Siç dua dhe zogjtë këngëtarë të Kories.
Francë, a ma jep kullën Ejfel,
T’i bëjmë me të dy vëthë Aishe Rabies?


NEBI BALI

Një ditë të bardhë nuk pa babai im,
Shkonte punonte nga Balaj në Gollare,
Teksa Hënën pinte sa pinte
Dhe bishtin ia flakte( O ç’dreq cigare!)

As kur erdhi ajo…(Demokracia)
Gëzim s’i solli…(qe një lloj revolucioni!)
Fatin e tij e qau dhe qyqa),
E qau dhe Gjoni….

Relike të tij unë nuk mbajta
Por nëse do të duhet në vështirësi s’do më vërë.
Ja, ja relikja e tij më e mirë:
Hëna(Cigarja që s’e piu të tërë!)


SHAHE BALI

Veç nëna ime, darsianka Shahe Bali,
Ajo që mua një ditë Vjeshte më solli,
Ka qenë më e bukura nga gjithë fshataret
Dhe jo devollitka Hatixhe Agolli!

Kur shkruan kështu për nënën e tij ,
Dritëro Agolli e ka gabim,
Se ai po ta kish parë nënën time
Do ta kish bërë vetë këtë përgënjeshtrim.

Mbase do shkruante dhe një vjershë
Për nënën time që në Shqipëri shetit hijen
Dhe ajo do t’i fuste në trajsë dy ftonj,
Një për mbesën:
Anën….
Një për gruan:
Sadijen!


G R E K J A

S’me duhen salla e muzika
Që emocionet ty t’i prekja.
As dhe përkthyes për të folur,
(Nuk jam Pushkini e ti grekja)

Më duhet veç një pellg i vogël
Ku fytyrën të shikosh
E ku dhe ujin po e piva…
Grekja të mbetet përposh…!


P U SH K I N I

Në fushë të shpura ty, ku Hëna,
Si një iriq që s’ka një gjemb,
Pup-pup na hidhet mu tek këmbët
Me dashuri(Se mos e tremb!))

Ah, edhe ty s’të duhet tjetër,
Veç ai pellgu aq me besë,
Ku dhe ti ujin po e pive
Pushkini prapë përposh të mbesë!



DRERI

Mbaroi Lufta e Ftohtë

Tejembanë TV-të
E dërguan
Haberin…

U Çarmatos BRSS, po kush çarmatos drerin?

Shigjetat-
Ende në kokë ai i mbanë të shkretat! 



 O K B

Drer:
Pse i mban ende ato shigjeta në kokë?
Se OKB-ja e ka larg selinë, more shokë…!




KAFJA

Kush hënën si një xhezve ari
E vuri sipër mu tek retë?
S’e di por, ja, ajo tek është,
Pa kafe e ujë.(Ia futni vetë)

Tani, meqenëse ma dhe,

përfundimisht ti mua llafen,
Xhezven e Hënës a e marrim
E pijmë më së fundi:Kafen?

***
Xhezves së Hënës ujë e kafe
I futa unë nën muzgjet blu
Dhe dy filxhanë, që të mbaj fjalën,
Plot mbusha.(Nuk e patë Ju?)

S’ka gajle se jam i martuar,
Sepse kështu e ka poeti:
Një gruaje i vë kurorë
E tjetrës Jo….
E ç’ti bëj shteti?


NUN I BUKURESHTIT

Emri i kryeqytetit të Rumanisë, Bukureshtit,
Vjen nga shqipja:
Bukur është, ç’është i bukur!)

Shqipe e pastër që s’do mund për t’u dukur.

Rumani, Rumani
Pse pret ta them unë?:
Që Kryeqyteti yt Shqipërinë e ka NUN?


V D E K J A

Kur jemi të rinj
Për vdekjen
Flasim shpesh…
Se e dimë që ëshët larg…(në Bangladesh)

Kur plakemi
Flasim më rrallë…
Se e dimë që është afër…(Nën portokall!)



  H Ë N A 


Nuk ka një cep të tokës sonë
Ku të mos gjesh një varr të thjeshtë
E ku gjinkalla ca minuta
Në shenjë nderimi të mos heshtë!

E të mos hapen varre fare
Nuk ka një ditë gjithashtu
Por vetëm dhunë, gjak e vrasje,
Tmerrohem nga kjo gjëmë? Po Ju?

Prandaj kaq shumë e dua Hënën
E flas për të si një i marrë,
Se në kontrast me tokën tonë:
Nuk ka një varr! Nuk ka një varr!


*Poezitë janë shkruar në Tetor-Nëntor 1998. Poeti, miku im Sherif Bali m’i pat dërgua në një fletorë të shkruar me kaligrafinë e tij të mrekullueshme. Aso kohe iu botu një faqe gazete në suplementin letrar të “Republikës”, kur unë isha kryeredaktor, por një pjesë mbetën. Ata që e njohin penën dhe stilin e Sherif Balit, jam i bindur se do të kënaqen.


Dalip Greca
New York 15 prill 2020

No comments:

Post a Comment